Stresi: Armën e mbaja në brez për t’u dukur, jam penduar !!


Zbardhet vendimi përfundimtar për këngëtarin e repit. Armëmbajtja pa leje parashikon deri në 7 vite burg, ai dënohet vetëm me 400 mijë lekë gjobë.
Në vendimin tashmë të zbardhur të Gjykatës së Tiranës, thuhet se : “Në datën 01.11.2012, rreth orës 02:30, në rrugën ‘Abdi Toptani’ nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit është kapur në flagrancë i pandehuri Arkimed Lushaj, të cilit gjatë kontrollit i është gjetur e sekuestruar një armë tip pistoletë së bashku me dhjetë fishekë luftarakë në karikator të cilët i mbante pa leje të organeve kompetente. Nga akti i ekspertimit teknik të pistoletës, ka rezultuar se:  “Arma është e rregullt teknikisht dhe realizon qitje normalisht”. Në këto rrethana është bërë arrestimi në flagrancë i të pandehurit Arkimed Lushaj. I pandehuri si në hetim dhe në gjykim e ka pranuar akuzën dhe ka treguar pendesë. I pandehuri Arkimed Lushaj pohoi në Gjykatë se: Arma ka qenë pa karikator, ka qenë veç në makinë, brenda në kroskot . Atë ditë po shkoja për të kënduar në “Club Mumja” , pasi ka qenë festa e Hallouinit.   E kam hequr karikatorin nga arma dhe e kam vënë në kroskot për të mos e pasur me vete, kurse armën e kam vënë në brez pa karikator. Qëllimi i mbajtjes së armës ka qenë jo për ta përdorur,  por vetëm  për t’u dukur. Unë do të këndoja dhe jam një këngëtar  i njohur që njihem me emrin e artit Stresi dhe armën do ta mbaja në brez për të performuar para fansave të mi, meqë atë ditë ka qenë dita e Hallouinit. E pranoj akuzën dhe ndihem i penduar, si dhe premtoj se nuk do ta përsëris më. Kodi Penal parashikon: “Mbajtja e armëve… pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.” Gjykata çmon se i pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore të tillë, e cila nuk e bën të nevojshëm dhe të domosdoshëm izolimin e tij nga shoqëria, ashtu si pretendon organi i akuzës. Gjykata e Apelit Tiranë, duke konstatuar rrezikshmërinë e vogël të të pandehurit, ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “ detyrim për paraqitje”. Për rrjedhojë, dënimi me burgim i kërkuar nga ana e organit të akuzës nuk është dënim i përshtatshëm për të pandehurin Arkimed Lushaj. Sipas të gjitha arsyetimeve, gjykata vendosi deklarimin fajtor të Arkimed Lushajt (Stresi) dhe dënimin e tij me 600 mijë lekë gjobë. Më pas, ky dënim u ul në 400 mijë lekë gjobë.


Burimi: http://www.panorama.com.al