Kristiano Ronaldo ka zbuluar se do të ishte shumë i lumtur nëse do të arrinte të shënonte një gol në sfidën e nesërme ndaj Mançester Juanjtid në “Old Traford”, ai që ka qenë stadiumi i tij dhe ku kthehet për herë të parë që prej largimit nga ekipi anglez drejt Real Madrid.
“Do të ishte një ndjenjë fantastike. Nëse shënoj ndaj Mançester Junajtid, do të ishte spektakolare. Nuk di të them se si do ta festoja, do të ishte diçka spontane, por do të dëshiroja shumë të isha në një situatë të tillë”, deklaroi lojtari i cili në ndeshjen e parë respektoi ish-skuadrën e tij duke mos festuar golin që shënoi.
Megjithëse portugezi po përpiqet të eliminojë Mançester Junajtid nga Liga e Kampioneve, ai pret një trajtim të mirë nga tifozët anglezë të cilët nuk i kanë harruar lehtë 6 vitet për të cilat ai ka veshur fanellën e kësaj skuadre.
“Jam i sigurt se do të më presin mirë. Pas viteve që kalova këtu dhe miqësive që kam krijuar, jam i sigurt se ky do të jetë një nga vendet ku do të më duartrokasin më shumë. Koha që kalova aty ishte fantastike”, deklaroi portugezi që padyshim do të jetë personi në qendër të vëmendjes në natën magjike të “Old Traford”. (LajmeShqip.com)